Në një deklaratë për mediat, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj paralajmëroi masa të forta ligjore ndaj koncesionarit të Aeroportit të Rinasit, për të cilin tha se ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësisë për sigurinë fizike të aeroportit.

“Kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike. Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport.

Autoritetet shtetërore shqiptare do të marrin masa ligjore të shpejta dhe të forta për të garantuar pa asnjë mëdyshje të gjitha parametrat dhe standardet e nevojshme të sigurisë në Aeroportin e Rinasit”,

tha Lleshaj

.

Sa i përket 4 anëtarëve të bandës kriminale, Ministri tha se falë reagimit të shpejtë të policisë, grupi hetimor ka prova të shumta dhe të rëndësishme materiale. Ndërsa vdekjen e Admir Muratajt gjatë shkëmbimit të zjarrit mes grabitësve dhe policisë, Lleshaj e konsideroi një goditje të rëndë për këtë grup.

/tvklan.al