Ndryshe nga Kryeprokurori Olsjan Çela, i cili disa kohë më parë deklaroi se qyteti i Elbasanit po kontrollohet nga bandat kriminale, mendon Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. I pyetur fillimisht nga gazetari Blendi Fevziu në studion e “Opinion” për këtë deklaratë, Lleshaj e mohoi atë. Por ku paneli i gazetarëve i tha se ishte deklaratë publike, atëherë Ministri i Brendshëm u shpreh se kjo nuk është e vërtetë. Sipas Lleshajt, jo vetëm Elbasani, por asnjë cep i Shqipërisë nuk kontrollohet nga krimi, meritë që sipas tij shkon për qytetarët.

Kryeprokurori gjatë një vizite në Elbasan disa javë më parë u shpreh para prokurorëve që qytetin po e merr në dorë dhe po e kontrollon krimi, bandat kriminale. Tani ka një mospërputhje midis Ministrit të Brendshëm që thotë që jemi në periudhën më të mirë, në shifrat më të mira, në situatën më të mirë të rendit dhe Prokurorit të Përgjithshëm, thotë se qyteti i 3 apo 4 më i madh i vendit, kontrollohet nga bandat kriminale?

Unë nuk e di që Elbasani kontrollohet nga bandat.

Kjo është deklaratë e Prokurorit të Përgjithshëm.

Unë nuk e di edhe që kryeprokurori të ketë bërë këtë deklaratë… nuk e  di.

Po patjetër, është deklaratë publike…

Mirë, ju mund ta pyesni kryeprokurorin për këtë. Unë di që qyteti i Elbasanit është në kontroll të qytetarëve të tij, të institucioneve, të autoriteteve, etj, dhe krimi është i margjinalizuar si kudo në Shqipëri, edhe në Elbasan. Ekziston krimi, por nuk kontrollon qytetin. Asnjë cep i Shqipërisë nuk kontrollohet nga krimi dhe për këtë duhet të jemi krenar dhe është meritë e qytetarëve të Shqipërisë, jo e jona./tvklan.al