I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Edi Rama, pas dekretimit të Sandër Lleshajt si Ministër i Brendshëm. Duke përshëndetur vendimin e Presidentit Ilir Meta për ta dekretuar Lleshajn në krye të këtij institucioni, Rama shkruan se ky dekretim është shembull se ka gjithmonë rrugëzgjidhje, edhe kur duket sikur krisjet janë të pariparueshme.

“Dekretimi i Sandër Lleshit ministër i brendshëm, një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka #VullnettëMirë. Ministri i ri njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur”

, shkruan kryeministri në një postim në Twitter.

Dekretimi nga Presidenti Meta erdhi pak përpara përfundimit të afatit kushtetues 7 ditor, për t’u shprehur për propozimin e dytë të Kryeministrit Edi Rama, për emërimin e Sandër Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Presidenti e parapriu këtë vendim më herët gjatë kësaj të premteje, duke pranuar kërkesën e Sandër Lleshajt për ta nxjerrë në lirim si Gjeneral Brigade. Presidenti konfirmoi zyrtarisht se ishte pikërisht statusi i tij si ushtarak aktiv që e detyronte të mos e dekretonte si Ministër, për shkak të kufizimeve që Kushtetuta ka për këtë kategori. 

/tvklan.al