Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol, deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

Gjatw fjalës së tij ai u bëri thirrje qytetarëve që ta konsiderojnë Sarandën si një adresë për këtë sezon turistik.

Për Lleshajn, sa përket çështjeve të turizmit, është me rëndësi angazhimi i strukturave përgjegjëse për përgatitjen e kushteve.

“Qeveria shqiptare e konsideron mjedisin burimin jetësor nr. 1, për jetën, ekonominë, dhe në këtë kuadër u bë edhe ristrukturimi i IKMT, i cili tashmë ka detyra edhe për mjedisin, pra ujërat, pyjet etj., inspektimi i territorit dhe mjedisit. Duke e sjellë IKMT-në në Ministrinë e Brendshme dhe duke e atashuar pranë Policisë së Shtetit, që do të thotë, drejtoritë e inspektoratit do të punojnë si pjesë integrale e Policisë, do të mundësohet që goditja ndaj të gjithë krimit mjedisor të zhvillohet në dy plane: administrativ, dmth IKMT t’i godasë administrativisht të gjithë ata që kryejnë dëm  apo krim mjedisor; njëkohësisht policia do të marrë masat ligjore ndaj tyre. Sa i përket vijës bregdetare, këtu do të adresohet vëmendja e shtuar e Policisë, IKMT, strukturave vendore në mënyrë që të mos cenohet më tej. Nuk mund të lejojmë që të vendoset një gur apo një tullë pa leje në këtë vijë bregdetare. Prekja e konfiguracionit natyror të vijës bregdetare është e papranueshme, në çdo aspekt”, u shpreh Ministri.

Ai tha se policia do të ketë detyra të shtuara edhe në kontekstin e sigurisë dhe do të shtohen kontrollet sa i përket respektimit të parametrave e standardeve në plazhe, nga ana e operatorëve turistikë. Policia dhe ajo e Kufirit veçanërisht, do të fokusojnë vëmendjen për të shtuar prezencën në patrullim, në ujë, në bregdet, në pikat turistike.

“Sa i përket rendit dhe sigurisë, në këtë zonë nuk ka probleme me krimet e rënda, por ka një numër të lartë të krimeve më të lehta, sidomos vjedhjes në banesat e qytetarëve që banojnë jashtë vendit. Dhe këtu kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm i Policisë së Shtetit, ndërmarrja e masave të reja, pasi masat e deritanishme nuk i konsideroj të mjaftueshme për ta përballuar këtë situatë. Ky fenomen duhet të goditet në mënyrën më të fortë të mundshme, aq më tepër kur këto ngjarje ndodhin në zona minoritare duke na krijuar një lloj tensioni, krejtësisht të panevojshëm dhe të papranueshëm. Ne nuk mund të lejojmë të krijohet frikë, pakënaqësi në zonat minoritare me të cilat niveli i harmonisë, bashkëjetesës, marrëdhënieve të mira ka predominuar në shekuj”.

Prioritet i madh për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë strukturat vendore mbetet përpjekja për të luftuar kultivimin e kanabisit në vend, u shpreh Lleshaj.

“Sukseset e arritura gjatë këtyre viteve janë të padiskutueshme, por ende nuk mund të themi që është zhbërë historia e kanabisit në Shqipëri. Kemi detyrë të vazhdojmë goditjen e përqëndruar dhe të bashkërenduar kundër këtij fenomeni. Kemi patur shumë takime me Policinë e Shtetit për këtë qëllim, janë dhënë shumë detyra për këtë qëllim, dhe treguesit janë të matshëm dhe konkret. Janë dy drejtime në të cilat policia duhet të luftojë: e para, kundër kriminelëve që merren me përfshirjen në këtë veprimtari, dhe e dyta, do të adresojë dhe do të merret fort me zyrtarët të cilët thjeshtë neglizhojnë për të bërë detyrën e tyre”. /tvklan.al