Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka qenë në Konispol në kuadër të vizitave që po kryen në bashkitë e jugut të vendit.

Ai u takua me kryetarin e bashkisë, Shuaip Beiqirin, ndërkohë që zhvilli një takim ku prezentë ishin edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, prefekti Flamur Mamaj dhe deputeti Andrea Marto.

Lleshaj është ndalur tek masat që ka marrë bashkia ndërkohë që ka vizituar zyrën e aplikimit për karta dhe pasaporta.

Pjesë e diskutimit mes tre kanë qenë edhe çështjet e nivelit të sigurisë. Lleshaj thotë se niveli në Konispol është i kënaqshëm dhe më i mirë se në zona të tjera. Megjithatë janë lënë disa detyra dhe Lleshaj thotë se policia do të fokusohet tek krimet e rrugës.

“Kemi lënë detyra dhe do ta ndjekim në vijueshmëri zbatimin e tyre, sa i përket rritjes së forcës goditëse dhe parandaluese të Policisë në raport me krimin, duke u fokusuar tek krimi i rrugës, ose krimet e vogla që quhen, por që sjellin pasoja të mëdha, siç janë vjedhjet, këtu më pak, por në Bashkitë fqinje më shumë. Kemi ndërmend që këto detyra t’i ndjekim në vijueshmëri me qëllim që ta rritim sa të jetë e mundur  më shumë, nivelin e sigurisë në këtë zonë, skaji jugor i Shqipërisë, që duhet të jetë po ashtu një nga modelet më të mira të saj”, tha Lleshaj./tvklan.al