Për dhunë të paramenduar dhe mirëorganizuar nga dy parti që kanë lënë parlamentin dhe kanë dalë në rrugë foli ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj një ditë pas protestës ku mbetën të plagosur 5 efektivë policie.

Lleshaj, tha se forcat e rendit treguan profesionalizëm përballë grupeve që ndonëse më të paktë në numër ishin të përgatitur për ta sulmuar policinë me mjete të paligjshme dhe për të krijuar situata të favorshme për grupet kriminale.

Ministri i Brendshëm shkoi edhe më tej në akuzat e tij teksa e quajti protestën e djeshme më të rëndë se ato të mëparshmet.

“Pjesëmarrrësit mund të përballen me akuza për cënim të rendit kushtetues të vendit. Ky grupim parapolitik po godet shtetin shqiptar, po dëmton imazhin e vendit dhe perspektiven euroatlantike”.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë në një tjetër dalje akuzoi lidershipin e opozitës se qëndron pas nxitjes së protestave të dhunshme për arsye që sipas saj lidhen me frikën e  këtyre partive nga reforma në drejtësi.

“ Qëllimi i tyre dihet, kërkohet destabilizimi i vendit në prag të hapjes së negociatave, dëmtohet Shqipëria në rrugën drejt BE”.

Gjonaj kërkoi vendosjen para drejtësisë të të gjitha autorëve dhe organizatorëve të dhunës, duke thënë se çdo sulm ndaj policisë dhe pronës publike është i papranueshëm.

Tv Klan