Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se nisma për shpëtimin e Alvin Berishës nga kampi i Al Hol në Siri u ndërmor nga Shqipëria. I ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion”, Ministri iu përgjigj edhe kritikave për praninë e tij në këtë operacion. Ai tha se kishte shkuar në Siri për të përshpejtuar dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij procesi, për të mbështetur të gjithë ata që morën pjesë në të.

Blendi Fevziu: Ju ishit në një mision në Siri, kur shkuar dhe përse shkuat zoti Ministër? Ka pasur mjaft kritika sipas të cilave prania juaj atje nuk ishte e domosdoshme, kur bëhej fjalë se shteti shqiptar thjeshtë do të pajiste me dokumente djalin.

Sandër Lleshaj: Kritika nga kush?

Blendi Fevziu: Nga të gjitha anët. U quajt që morët pjesë në një show mediat, që nuk kishit ndonjë rol…

Sandër Lleshaj: Sigurisht ka njerëz që janë të profilizuar për të bërë kritika, megjithatë unë do të them një fakt, që Alvin Berisha është i lirë, është kthyer atje ku i takon, në familjen e tij, falë një pune të përbashkët të shumë autoriteteve, të shumë agjencive shqiptare, italiane dhe më tej. Unë kam qenë atje për të përshpejtuar këtë proces, për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij procesi, për të mbështetur të gjithë ata që morën pjesë në këtë.

Blendi Fevziu: Si do ta përshpejtonit ju këtë proces?

Sandër Lleshaj: Të gjithë ata njerëz që ishin atje janë njerëz të ekipit shqiptar, përjashtuar ata me jelek të kuq, që anë Kryqi dhe Gjysmë Hëna e Kuqe, të tjerët janë shqiptarë, ose për shkakun tonë të ardhur atje. Ky është pothuajse efekti i vajtjes time atje. Nuk kam shkuar për të bërë operacionin, nuk kam shkuar unë për ta shpëtuar Alvin Berishën, kam shkuar për të mbështetur operacionin.

Blendi Fevziu: Kush e kreu operacionin?

Sandër Lleshaj: Operacioni është kryer nga një bashkëpunim i policisë shqiptare, Kryqit të kuq, Gjysmë Hënës së kuqe dhe autoritetet italiane.

Blendi Fevziu: Kush e ndërmori nismën?

Sandër Lleshaj: Nisma u ndërmor nga Republika e Shqipërisë. Republika e Shqipërisë, sepse këtu bëhet fjalë për një qytetar shqiptar, i cili është përgjegjësi e shtetit shqiptar dhe iniciativa është marrë nga Republika e Shqipërisë përmes një shkrese zyrtare që ambasada jonë në Romë i ka drejtuar Gjysmë Hënës së Kuqes të Sirisë, ku i ka kërkuar mbështetje për segmentin e parë të operacionit, që ishte lëvizja nga kampi Al Hol deri në kufirin e Sirisë. Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar, me autorizimin tonë. Ato nuk mund të veprojnë vetëm, pa patur një autorizim. Pra kanë punuar në emër të shtetit shqiptar. Pastaj ka pasur një segment të dytë, ku ka qenë në lojë vetëm shteti shqiptar, pra nga kufiri i Sirisë deri në dorëzimin e djalit në ambasadën italiane. Më pas ai është pajisur me dokumente të udhëtimit për të shkuar në Itali./tvklan.al