Këtë të enjte në seancën plenare u diskutua rreth aktit normativ që miratoi qeveria pak kohë më parë, ose siç njihet ndryshe paketa AntiKÇK. Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, deklaroi se paketa synon të vendosë drejtësi në vendin tonë. Sipas Lleshaj, akti normativ ka për qëllim parandalimin e krimit.

“Paketa synon të vendosë drejtësi në një vend që ka munguar. Duhet që përmes këtij akti të shkatërrohet modeli kriminal që josh të rinjtë, në mënyrë të gabuar. Akti synon parandalimin e krimit”, tha Lleshaj.

Ministri i Brendshëm u shpreh se akti normativ u zgjodh nga qeveria për shkak të nevojës dhe emergjencës. Sipas Lleshaj, janë 28 raste që ka regjistruar policia për gjyqtarët që kanë dhënë vendime në kundërshtim me ligjin, madje edhe përtej logjikës.

“Është konstatuar dhe plotësuar nevoja e urgjencës sepse me fillimin e reformës në drejtësi u krijua një situatë që shumë prokurorë dhe gjyqtarë kuptuan që shanset për të kaluar Vettingun janë të ulëta. Kështu është mundësuar dhënia e vendimeve që janë përtej ligjit dhe përtej logjikës. 28 vendime janë regjistruar nga policia që vërtetojnë këtë situatë. Po lirohen njerëz që duhet të ishin në burg”, tha Lleshaj.

Sipas ministrit me këtë akt qeveria merr përgjegjësi të drejtpërdrejta dhe shpreh një vullnet të qartë se nuk ka asgjë për të ndarë me krimin, por shkatërrimin e saj./tvklan.al