Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në seancën e kësaj të enjteje, nga foltorja e Kuvendit ka reaguar sa i takon akuzave për policinë gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ministri Lleshaj ka sqaruar se policia nuk ka shkuar me iniciativën e saj, por është thirrur nga Bashkia e Tiranës dhe IMT.

Lleshaj tha se është detyrë e policisë t’i përgjigjet çdo thirrjeje, ndërsa shtoi se godina e TK po mbahej në mënyrë të paligjshme e zaptuar.

“Policia e shtetit nuk shkoi vetëm me iniciativën e saj më 17 Maj në mjediset e Teatrit, por u thirr në përmbushje të detyrimit ligjor, sikundër i përgjigjet qindra e mijëra thirrjeve përditë, që vijnë nga të gjitha anët. Pra policia ka detyrë të përgjigjet thirrjeve që vijnë nga kushdo qoftë aq më tepër kur vijnë nga institucione zyrtare që kanë tagra ligjore për këtë punë.

Policia nuk shkoi si palë, por si autoritet ligjzbatuese e thirrur për të zbatuar një vendim të ligjshëm. Të shqetësuarit, të gjithë, hipokritët por dhe ata që janë realisht të sinqertë në shqetësimin e tyre dhe që kanë shqetësim dhe për përfshirjen e policisë në këtë ngjarje, duhet të dinë se Policia në Shqipëri dhe në gjithë botën nuk e ka luksin të bëjë ligjin por ta zbatojë në mënyrë konsekuente dhe pa interpretime. Ligji e detyron policinë të përgjigjet ndaj kërkesave të çdo pronari në rast se prona e tij është zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Më 17 Maj ajo u thirr nga policia bashkiake dhe IMT e Tiranës, për të liruar një objekt, pronë e Bashkisë së Tiranës dhe që kontrollohej në mënyrë të pautorizuar nga një grup personash a tagër ligjor mbi godinën..”. /tvklan.al