Lleshaj reagon për deklaratat e Kryeprokurorit për kanabisin


Lleshaj reagon për deklaratat e Kryeprokurorit për kanabisin

23:48 12/05/2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga studio e “Opinion” në Tv Klan, u shpreh se nuk e ka dëgjuar ende deklaratën e bërë një ditë më parë nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, teksa tha se viti 2019 ka pasur rritje të kultivimit të lëndëve narkotike në krahasim me vitin 2018.

Gazetari Spartak Koka, duke cituar fjalën e kryeprokurorit Çela, e pyeti ministrin sesi i komenton këto deklarata, të cilat bien ndesh me deklaratat e tij, ku theksohet se vitit 2019 ka qenë ndër më të suksesshmit në luftën kundër kanabisit.

Spartak Koka: Gjatë vitit 2019 ju keni dalë disa herë në media dhe keni thënë se 2019 është një nga vitet më të suksesshme sa i takon çrrënjosjes së kultivimit të kanabis sativa.

Sandër Lleshaj: Po.

Spartak Koka: Ndërkohë ditën e djeshme Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, evidentoi se ka një rritje të kultivimit të lëndëve narkotike përgjatë vitit 2019, krahasuar me vitin 2018, madje pati disa akuza të drejtpërdrejta për Policinë, duke thënë se nuk ka bërë një raport, nuk ka qenë transparente përgjatë vitit 2019 dhe nuk ka patur një bashkëpunim të mirë me Prokurorinë. Si i komentoni ju këto deklarata të zotit Çela?

Sandër Lleshaj: Unë nuk komentoj Prokurorin e Përgjithshëm dhe nuk di të ketë bërë akuza, sepse unë di që Prokuroria akuzat i paraqet në Gjykatë…

Spartak Koka: Po flasim për një komunikim publik të Prokurorit të Përgjithshëm i cili bie ndesh me deklaratat tuaja… Tani e vërteta kush është, e vërteta që thoni ju apo Prokurori i Përgjithshëm, se keni dy të vërteta…

Sandër Lleshaj: Ju do ta gjeni të vërtetën. E vërteta që them unë, është ajo që kam thënë. Viti 2019 ka qenë vit i një suksesi të jashtëzakonshëm dhe prapë përsëris që jo vetëm kanabisi, por në të gjitha parametrat që përshkruajnë sigurinë e Shqipërisë, jemi në vitet më të mira historike. Dhe nëse ju si gazetarë që e njihni mirë këtë fushë, mund të gjeni vite të tjera më të mira, mund të gjeni shifra, unë ju sfidoj me këtë…

Spartak Koka: Dakord, se këtu nuk jemi në kushtet kur ne gazetarët do marrim rolin e gjykuesit, por atribuimet e ligjëratave të drejtpërdrejta. Prokurori i Përgjithshëm tha se 2019 ka patur një rritje krahasuar me 2018, gënjen prokurori, apo nuk thoni të vërtetën ju?

Sandër Lleshaj: Unë nuk gjykoj… njëherë nuk e kam dëgjuar deklaratën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Spartak Koka: Në Komisionin e Sigurisë…

Sandër Lleshaj: Po nuk e kam dëgjuar…

Spartak Koka: Dakord!

Sandër Lleshaj: Do ta shoh dhe do të krijoj mendimin tim dhe do të komunikoj me Prokurorin e Përgjithshëm nëse kam diçka për të komentuar. Nuk është një çështje që çështjet që diskutoj me Prokurorin e Përgjithshëm mund të bëhen objekt i një diskutimi mediatik.

Spartak Koka: Ishin objekt i një diskutimi Parlamentar dhe publik…

Sandër Lleshaj: Më besoni që ende nuk e kam parë atë deklaratë.

Spartak Koka: Dakord!

Sandër Lleshaj: Por di t’ju them e ta provoj që 2019 ka qenë viti me problematikën më të vogël të kanabisit dhe ju kam dhënë një shifër që ju mund ta verifikoni, kam dhënë shifrën e kanabisit të kapur në bregun përballë, në Itali, të vitit 2019 që ka qenë gati 6 herë më pak sesa vitin 2018, që gjithsesi ishte vit i mirë. /tvklan.al




Të ngjashme