Lleshaj takim me autoritetet vendore e ligj zbatuese në Krujë

Lleshaj takim me autoritetet vendore e ligj zbatuese në Krujë

15:20 20/03/2019

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të pushtetit vendor të Krujës, drejtues të strukturave të Policisë, autoritete të mjedisit dhe Inspektorate të tjera në Qark. Në fokus të takimit ishin çështje të sigurisë, mbrojtja mjedisore dhe lufta kundër kultivimit të kanabisit.

Ministri deklaroi se kultivimi i kanabisit është një çështje e mbyllur përfundimisht dhe paralajmëroi të gjithë autoritetet lokale të kenë angazhim të plotë në përputhje me detyrat që përcaktohen nga Plani Kombëtar Antikanabis.

“Shqipëria është e angazhuar botërisht, që të dalë nga harta e kanabisit. E kemi arritur, por duhet të jemi të qëndrueshëm që kjo punë të vijojë. Plani Kombëtar Kundër Kanabisit parashikon detyra të qarta për të gjithë institucionet. Institucioni i fundit të cilit i drejtohet Plani, është Policia. Policia ka për të bërë vetëm një pjesë të punës, pjesën e ligj zbatimit. Ndërkohë që pjesën tjetër, kontrollin e territorit duhet ta bëjnë institucionet e tjera, sensibilizimin e qytetarëve duhet ta bëjnë institucionet e tjera. Do të kërkoja shumë prej të gjithë administratorëve lokalë, nga bashkia, nga njësitë administrative, nga kryepleqtë që të kuptojnë mirë këtë thirrje,”

tha ndër të tjera ministri Lleshaj.

Pas aksioneve të fundit të Task Forcës ndërministrore, ku u bllokuan 12 gurore në zonën e Krujës, Ministri apeloi për ndalimin përfundimtar të shkatërrimit të mjedisit.

“Është zhvilluar një industri e guroreve, e zhavorrit, e inerteve e të tjera me radhë dhe pasojat e kësaj ju i shihni vetë. Ajo që është bërë është vështirë të zhbëhet më. Por kjo punë duhet të stopohet, të ndalohet njëherë e përgjithmonë. Dhe pastaj, të gjitha institucionet përkatëse, qofshin ato lokale, qofshin këto qendrore, duhet të marrin masa për rikuperimin e gjendjes, aq sa mund të rikuperohet

”, tha ministri i Brendshëm.

Prokurori i Rrethit theksoi se kontrolli i territorit nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit. Ai u shpreh se për gjithë autoritetet përgjegjëse për territorin, do të mbahet një qëndrim i prerë dhe i rreptë, në respekt të ligjit./tvklan.al




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi