Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se do të japë dorëheqjen, nëse automjeti i institucionit me të cilin ai qarkullon, kushton më shumë se 49 mijë Euro.

Bëhet fjalë për një makinë luksoze “BMW Seria 7” e viteve të fundit, që është denoncuar në media se kushton të paktën 100 milionë Lekë.

Duke folur në Parlament, ministri Lleshaj ka thënë se makina kushton 49 mijë Euro, ndërsa ka theksuar se ky automjet nuk është makinë e tij personale.

“Unë e di të qartë faktin që media, së cilës ju i referoheni ka bërë një mashtrim publik, për të cilin insiston në mënyrë kriminale prej disa ditësh. Po bëhen disa ditë që mashtron publikun në mënyrë skandaloze, duke thënë që “Sandër Lleshi ka blerë automjet”. Unë kam një automjet tip “Honda”, të vitit 2010, si Sandër Lleshaj. Kjo media nuk ka asnjë tagër të gjëmojë nga mbrapa automjetet, që përdor Ministri i Brendshëm, të cilat nuk janë vetëm një, janë disa. Dua t’ju them juve dhe publikut, që kjo media ka pasqyruar një fakt skandaloz, të rremë, që thotë “është blerë një automjet në vlerën 100 milionë lekë”, ndërkohë që është pasuar nga një media tjetër më e ndyrë se kjo, që thotë është 150 mijë Euro. Unë po ju them me përgjegjësi të plotë që mjeti i blerë për llogari të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, nuk ka kushtuar 150 mijë Euro, nuk ka kushtuar 100 milionë, por ka kushtuar vetëm 49 mijë Euro. Ju sfidoj që të thonë kaq: – në qoftë se ai mjet nuk ka kushtuar 49 mijë Euro, unë jap dorëheqjen këtu. Në qoftë se ka kushtuar 100 milionë, atëherë jepni dorëheqjen ju. Megjithëse ju e keni dhënë dorëheqjen”, deklaroi ministri Sandër Lleshaj duke ju drejtuar deputetëve të opozitës parlamentare. /tvklan.al