Gjeneral Sandër Lleshi tha se propozimin për të marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm e kishte marrë nga Kryeministri Edi Rama 8 orë para se ai ta bënte publik vendimin.

Në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, Lleshi tha se ky propozim kishte qenë krejt i papritur, por shtoi se ishte i parefuzueshëm.

Propozimi ishte absolutisht krejt i papritur, e kam marrë vesh besoj rreth 8 orë para jush. Nuk kam pasur kurrë ambicie politike, po të kisha pasur do t’i isha bashkuar ndonjë formacioni politik. Propozimi i kryeministrit Rama erdhi krejt i papritur, me të punoj prej 5 vitesh si këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Propozimi nuk mund të kundërshtohej për faktin se vinte nga Edi Rama dhe për faktin se jam ushtarak dhe jam mësuar që sfidave të mos u iki

”, tha Lleshi në intervistën e tij të parë televizive pas propozimit për postin e rëndësishëm.

Në një lëvizje të papritur mëngjesin e së shtunës, Kryeministri Edi Rama njoftoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Me një koment në Twitter, kreu i qeverisë konfirmoi se e pranoi dorëheqjen e ministrit, të cilin e falenderon për kontributin e çmuar. Në vend të Xhafajt, Rama ka emëruar gjeneral Sandër Lleshin, emrin e të cilit ia ka dërguar menjëherë për dekretim Presidentit të Republikës. /tvklan.al