Llixhat e Peshkopisë janë një nga resurset kryesore natyrore të qytetit. Ato frekuentohen nga mijëra vizitorë në dy sezonet, Prill-Qershor në pranverë dhe në Shtator-fundi i Nëntorit, në vjeshtë.
Fluksi i vizitorëve që qëndrojnë nga 10-14 ditë ka bërë që jo vetëm bashkia, por edhe fermerët ta shohin si një burim të ardhurash, pasi shesin prodhimet e tyre. Gjatë dy sezoneve llixhat frekuentohen nga më shumë se 30 mijë vizitorë, të cilët vijnë për të gjetur shërim nga ujërat e mrekullueshëm, por edhe për qejf për mirëmbajtjen e lëkurës.
Sëmundjet që rekomandohen për kurim në ujërat termominerale të llixhave të Peshkopisë janë të shumta, por më kryesoret janë: Të gjitha sëmundjet reumatizmale kronike, reumatizmat degjenerative, artrozat, neuritet periferike kronike, gjendjet pas frakturave traumatike, plegjit, hemiplegjit e tetraplegjit, hipertensioni arterial esencial pa insuficiencë kardiake. Disa sëmundje të aparatit tretës si gastritet, kolitet, infeksionet kronike urinare, urolitjazat, kolelitiazat. Disa sëmundje gjinekologjike si hipoplaziti uteri, infeksionet kronike të uterusit, sterilitetin primar e sekondar. Po ashtu, disa sëmundje të lëkurës si ekzema e mukozat e lëkurës etj.
Terapia e baltës është një nga më kurativet, por kapacitetet nuk janë të mundura krahasuar me kërkesat. Mjeku Mentor Prifti thotë se çdo vizitor apo pacient duhet të kryejë vizitën në fillim, ku i rekomandohen edhe terapitë se si duhet të procedojnë. Ai tregon për vetitë kurative të baltës që grumbullohet nga llumi që sjell uji i llixhave.
Vizitorët shprehen se kanë gjetur shërim këtu, ato vlerësojnë ujin kurativ, shërbimin profesional dhe akomodimin në hotelet e shumta të ndërtuar në këtë lagje.
Klan News