Shtëpia e Bardhë nuk ishte e informuar për këtë fakt, ndërsa ka pranuar se komunikimet me sekretarin nuk ishin optimale
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur arsyen e shtrimit në spital të sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin, e cila u mbajt e fshehtë për më shumë se një javë. Sipas administratës amerikane Austin është diagnostikuar me kancer në prostatë. 70-vjeçari, u shtrua në spital më 1 janar dhe më pas në njësinë e kujdesit intensiv për komplikime pas një operacioni që kreu në dhjetor. Ai është përballur prej ditësh me kritika pse e ka mbajtur të fshehtë dhe nuk ua ka raportuar zyrtarëve të lartë këtë. Ai ka kërkuar falje për t’u siguruar që publiku të ishte informuar siç duhet.
Vonesa e bërjes publike të këtij njoftimi nga ana e Shtëpisë së Bardhë ngriti shqetësime të mundshme të sigurisë kombëtare dhe çështje të transparencës brenda administratës së Biden. “Sekretari Austin vazhdon të rikuperohet dhe mbetet në gjendje të mirë , ai është në kontakt me stafin e tij dhe vazhdon të monitorojë punët e tij,” shprehet një zëdhënës i Pentagonit.
Mjekët në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed, spitali më i lartë ushtarak i vendit, kanë bërë të ditur se gjatë një kontrolli në dhjetor të 2023 ata identifikuan përhapjen e kancerit në pjesën e prostatës. Austin iu nënshtrua një procedure kirurgjikale në spital më 22 dhjetor për të hequr kancerin, por u rikthye në spital për shkak të komplikimeve dhe u transferua në njësinë e kujdesit intensiv për trajtim.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby ka deklaruar se Presidenti Biden u informua më vonë se sekretari i Mbrojtjes ishte diagnostikuar me kancer në prostatë. “Askush në Shtëpinë e Bardhë nuk e dinte se Sekretari Austin kishte kancer në prostatë deri sa u informuam në fillim të kësaj jave”, tha ai. Ndërsa theksoi se reagimi fillestar ishte shqetësimi për shëndetin e sekretarit, por Kirby pranoi se komunikimet mes Shtëpisë së Bardhë dhe sekretarit nuk ishin optimale.