Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, u mor në pyetje nga hetues të Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve të nisura për një çështje lobimi të kryer nga Lëvizja Socialiste për Integrim në 2017 në SHBA.

Vasili qendroi mbi një orë përballë agjentëve dhe në përfundim nuk dha detaje të gjata për mediat, por sqaroi cilësinë e tij përballë hetimeve.

“Kishin nja dy-tri pyetje, kishin interes për t’u informuar dhe i informova. Për çështjen që kishin interes ata, mund të pyesni SPAK-un, ju informojnë vetë”.

SPAK ka regjistruar hetimet gjatë vitit 2022 për mosdeklarim të disa vlerave të konsiderueshme monetare që dyshohet se janë paguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, tashmë me emër të ndryshuar në Partia e Lirisë, për të lobuar për një foto të politikanit Ilir Metaj, me Presidentin e SHBA në atë kohë Donald Trump.

SPAK është duke kryer hetime edhe për disa procedime të tjera, të regjistruara gjatë vitit 2022, pas kallëzimeve ku në fokus janë veprimet e ish-Presidentit Ilir Metaj dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.

Tv Klan