Deputeti: U pyeta për çështje që kanë interes, për më tepër pyesni Prokurorinë

Për gati dy orë, nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili dha shpjegime në Prokurorinë e Posaçme. Numri dy i kësaj force politike u thirr për të dëshmuar lidhur me çështjen e lobimit të LSI në SHBA.

Në dalje nga SPAK Vasili nuk pranoi të tregonte arsyen pse u thirr nga prokurorët, por deklaroi se u pyet si person që ka dijeni për çështje me interes.

Krahas Vasilit, në kallëzimin e ish-deputetit Halit Valteri janë të përfshirë edhe Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Edmond Panariti dhe zyrtarë të tjerë të kësaj force politike. Në dosjen e depozituar në SPAK janë ngritur dyshime se është paguar 150 mijë dollarë, një kompanie të huaj për të siguruar takime në SHBA. Për vitin 2016 ku pretendohet se janë paguar paratë, nga LSI janë deklaruar vetëm 11.7 milionë lekë shpenzime për këshillim.

Për çështjen e lobimit të LSI në SHBA më herët Prokuroria e Posaçme ka pyetur edhe ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Endrit Braimllari. Në vijim dy prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, pritet të marrin në pyetje edhe personat e tjerë që janë të kallëzuar.

Klan News