Pas thirrjes në Prokurorinë e Tiranës të vetë kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe zyrtarëve të lartë të selisë blu, grupi i hetuesve është fokusuar në zbardhjen e transfertave të parave që kompania ‘Biniata Trade’ me qendër në Skoci ka bërë në emër të kësaj partie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Burime të Tv Klan pranë grupit të hetimit thanë se po sqarohet nëse Partia Demokratike kishte dijeni për pagesën 675 mijë Dollarë që “Biniata Trade” kishte derdhur për 2 kompanitë amerikane ‘Stonington Strategies” dhe “Barnes and Thornburg LLP”.

Organi i akuzës nuk jep detaje nga marrja në pyetje e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, por mësohet se ata kanë pretenduar se nuk kanë pasur dijeni për pagesa të tilla edhe pse kompanitë amerikane i kanë deklaruar transfertat në Departamentin e Thesarit në emër të selisë blu.

Në kontratën e lidhur mes kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kompanisë ‘Muzin Capitol Partners’, parashikohen 3 pagesa nga 25 mijë Euro për lobim dhe kontakte me zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Trump.

Por kontrata nga ku ka nisur hetimi është ajo e lidhur mes ‘Muzin Capitol Partneres’ dhe ‘Biniata Trade’, një kompanie që sipas revistës amerikane ‘Mother Jones’ ka pronarë rusë, por vetë kompania e ka mohuar këtë.

Në këtë kontratë të deklaruar në Departamentin e Thesarit dhe Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, Muzin thotë se është paguar 675 mijë Dollarë nga ‘Biniata Trade’ për llogari të Partisë Demokratike.

Drejtuesit e Partisë Demokratike kanë mohuar kontaktet me ‘Biniata Trade’, për pasojë edhe që ta kenë paguar atë. Por për Prokurorinë ka dyshime të arsyeshme se Partia Demokratike nuk ka deklaruar 650 mijë Dollarët dhe sipas akteve të ardhura nga letërporositë, e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia rezultojnë në mënyrë të qartë që pagesat janë bërë dhe nuk janë deklaruar, çka për akuzën nënkupton se Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin.

Pagesat janë bërë në Pranverën e vitit 2017 disa muaj para zgjedhjeve parlamentare. Origjina e tyre dhe arsyet përse ‘Biniata Trade’ deklaron se i ka paguar këto para për llogari të Partisë Demokratike, në një kohë që demokratët e mohojnë, janë edhe çelësi i hetimit.

Prokuroria po pret deshminë e Nicolas Muzin, themeluesit të kompanisë lobuese ‘Muzin Capitol Partners’, pasi ajo pritet të sqarojë nëse Partia Demokratike ka qenë në dijeni të ketyre pagesave të bëra nga ‘Biniata Trade’. Ardhja e dëshmisë së Muzin pritet të mbyllë edhe dosjen hetimore dhe dërgimin e çështjes në gjykatë.

Tv Klan