Organizata Botërore e Shëndetësisë ka refuzuar një apel, për të lëvizur datën e Lojërave Olimpike në Rio gjatë kësaj vere, pas shpërthimit të virusit Zika.

Në një letër të hapur drejtuar OBSH-së, më shumë se 100 shkencëtarë, që po merren me virusin, kanë paralajmëruar se nuk është koha e përshtatshme për mbajtjen e Lojërave Olimpike.

Ata i bëjnë thirrje OBSH-së që të rishikojë urgjentisht udhëzimet mbi Zikën, një virus që lidhet me probleme tek të porsalindurit. Përhapja e gjerë e sëmundjes përmes mushkonjave nisi në Brazil rreth një vit më parë, ndërkohë që tashmë, më shumë se 60 vende dhe territore të botës vazhdojnë të hasin probleme me transmetimin e këtij virusi.

zika

Simptomat e Zikës janë të pandjeshme fillimisht, por në letër, ekspertët thonë se virusi shkakton lindjen e fëmijëve me çrregullime të theksuara mendore, për shkak të trurit të pazhvilluar mirë, dhe me kokë më të vogël se normalisht. Madje rrallëherë mund të shkaktojë edhe sindroma neurologjike fatale te disa të rritur.

Letra është nënshkruar nga 125 shkencëtarë ndërkombëtarë, mjekë dhe gjykues të etikës mjekësore, nga institucione të tilla si Universiteti i Oksfordit, por edhe i Harvardit dhe Yale në Shtetet e Bashkuara.

/tvklan.al