Nuk do të lejohen të huaj në tribuna në Lojërat Olimpike

Organizuesit e Lojërave Olimpike kanë deklaruar se nuk do të lejohet që tifozët e huaj të marrin pjesë këtë verë në evenimentin që do të zhvillohet në Tokyo. Ky vendim është marrë për shkak të kushteve të vështira që ka krijuar pandemia e Covid-19.

Autoritetet japoneze u kanë bërë me dije komiteteve Olimpike dhe Paralimpike se nuk është e pëlqyeshme të garantohet hyrja e tifozëve të huaj në vend. Organizuesit shprehen të bindur se kjo masë do të arrijë të sigurojë realizimin e sigurtë të Lojërave Olimpike për pjesëmarrësit dhe publikun japonez. Ndërkaq, tifozët e huaj do të rimbursohen për mosmarrjen pjesë në këtë eveniment.

Lojërat Olimpike u shtynë me një vit për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19. Ato priten të nisin më 23 Korrik dhe të përfundojnë më 24 Gusht. Kjo masë u mor për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje të madhe sportive. Aty do të marrin pjesë më tepër se 11.000 atletë nga 200 shtete te ndryshme.

Përjashtimi i tifozëve të huaj paraqitet si një dëm financiar për Lojërat Olimpike. Kostot për Lojërat Olimpike janë rritur me 2.8 miliardë dollarë për shkak të masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Më herët këtë vit, kryeministri japonez Yoshihide Suga tha se Lojërat do të zhvillohen në siguri të plotë dhe do të shërbejnë si simbol i solidaritetit global. Sidoqoftë, një sondazh nga transmetuesi kombëtar NHK tregoi që shumica e publikut të gjerë japonez kundërshtonte mbajtjen e Lojërave në vitin 2021.

Japonia gjithashtu ka hasur probleme të tjera përveç pandemisë, me kreun e komitetit organizues të Lojërave Olimpike të Tokios Yoshiro Mori, i cili dha dorëheqjen pasi u kritikua për komentet e tij të papërshtatshme për gratë.

Një tjetër drejtues, Hiroshi Sasaki, dha dorëheqjen pasi sugjeroi që një femër komediane  të paraqitej si një “Olympig” në ceremoninë e hapjes./tvklan.al