Vendimi për të shtyrë Lojërat Olimpike të Tokios për vitin 2021 ka shkaktuar një efekt domino në kompeticionet e menaxhuara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Kjo ka sjellë shtyrjen me 11 muaj të Kampionatit Botëror të Atletikës, programuar për t’u mbajtur në Eugene në vitin 2021, por që do të mbahet nga data 15 deri më 24 Korrik 2022.

Ky vendim vjen si pasojë e kalendarit të ngjeshur të atletikës, që në harkun e një viti kalendarik do të zhvillojnë 4 kompeticione të rëndësishme. Përpos Lojërave Olimpike që do të mbahen në vitin 2021, vera e vitit pasardhës do të jetë tepër e nxehtë për fansat e atletikës që do të shikojnë Botërorin gjatë muajit Korrik, turneun e Birmingamit  nga 27 Korriku deri më 7 Gusht 2022 dhe Kampionatin Evropian të Atletikës në Mynih, të planifikuar për 11 deri më 21 Gusht 2022.

Kampionati Botëror ka qenë fatsjellës për atletët shqiptarë, sidomos për Luiza Gegën që në Doha 2019 vendosi rekord kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa, me kohën 9 minuta,  19 sekonda e 93 të qindtat duke fituar të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Tokios. Një tjetër kandidat për zonën e medaljeve është edhe Izmir Smajlaj që do të tentojë lavdinë në kërcim së gjati.

Klan Plus