Skuadrat e Premier League në Angli janë kthyer në stërvitje për rinisjen e mundshme të kampionatit, por ka nga ata lojtarë që kanë refuzuar të zbresin në fushë. Eshtë mesfushori i Chelsea, N’Golo Kante, i cili nuk është bashkuar me skuadrën pasi ka frikën e infektimit nga Covid-19.

Konfirmimi pozitiv i mbrojtësit të Watford, Mariapp ka shkaktuar shumë zhurmë në ambientin sportiv në Angli. 33-vjeçari nuk e ka besuar lajmin për infektimin  me virusin, të cilin pohon se nuk e di se ku e mori.

Kam respektuar rregullat. Daljet nga shtëpia kanë qenë fare të pakta dhe nëse nuk do të bëja testet nuk do e mësoja se e kam”, është shprehur xhamajkani për mediat britanike.

Kjo ka detyruar lojtarë si Kante që të shmangin stërvitjet ekipore. Veprimi është mirëpritur nga ana e klubit që nuk kërkon të bëjë presion ndaj lojtarëve të tij. Këtë linjë ka mbajtur edhe trajneri i kryesuesve aktual të Premier League angleze, Jurgen Klopp.

Tekniku i Liverpool pohoi se askush nuk ka të drejtë që t’i detyrojë lojtarët që të zbresin në fushë dhe përjashtim nuk bëjnë as ato “The Reds”.

Skuadra e kuqe është ndarë në grupe sipas reparteve që mbulojnë në fushën e blertë, një ide e zgjuar kjo nga ana e stafit të Liverpool që kërkon përqëndrim maksimal dhe stabilitet mes repartit nëse qeveria britanike vendos të rikthejë futbollin në ishull.

Vendimi nga qeveria e drejtuar nga Boris Johnson pritet të vijë në javën e ardhshme, me opsionin më të mundshëm për rifillimin e kampionatit që mbetet data 20 Qershor.

Klan Plus