Lici: Bashkia nuk paguan dot lojtarët, do luajmë me ekipin B

Ende pa rinisur kampionati pas pezullimit për shkak të pandemisë, futbollistët e Vllaznisë kanë bojkotuar stërvitjen. Situata në kampin kuq e blu ka prekur pikën më të nxehtë, pas debateve të administratorit Suad Lici dhe lojtarëve të ekipit.

Këta të fundit nuk kanë zhvilluar seancën e zakonshme stërvitore me pretendimin se nuk kanë marrë pagat e tre muajve të fundit. Futbollistët e Vllaznisë kanë kërkuar të shlyhen rrogat e prapambetura deri në Maj, pasi sipas tyre nuk kanë marrë asgjë prej më shumë se 3 muajsh. Ndërkohë kriza është aq e thellë, aq sa Lici është shprehur se për të mos prishur kampionatin mund të përfaqësohet me Vllazninë B në Superiore.

Kjo për arsyen se nuk shihet e mundur përmbushja e kushteve të vendosura nga lojtarët e Vllaznisë A, për t’u paguar deri në muajin Maj dhe më pas të negociojnë për Qershorin dhe Korrikun. Sipas tij, Bashkia e Shkodrës e ka të pamundur të paguajë futbollistët për një punë të pakryer, për më tepër që kanë marrë nga Federate Shqiptare e Futbollit pagën e luftës.

Situatë duket e nderë në kampin shkodran, pasi të dyja palët nuk kanë një pikë të përbashkët dhe janë krejt të kundërta për momentin. Aktualisht Vllaznia ndodhet në vendin e tetë në renditje dhe për momentin është më e rrezikuara për të shkuar në ndeshjen shtesë që do i siguronte qëndrimin në Superiore.

Tv Klan