Shpërfillet distanca e këshilluar dhe protokollet e sigurisë

Tavolinat janë vetëm pak centimetra nga njëra-tjera, po kjo nuk i pengon kryeqytetasit që kafen e pasdites ta konsumojnë nëpër bar-kafetë e mbipopulluara.

Madje edhe të konsumojnë ushqimin nëpër mjedise ku ka lëvizje të shumta të njerëzve.

“Në bar-kafenetë, por edhe mjediset e tjera publike është e detyrueshme te zbatohet një protokoll sigurie, veçanërisht në mbajtjen e distancave apo të mjeteve mbrojtëse. Po mjafton një kalim në disa zona të Tiranës për të pare se pak prej tyre zbatohen”.

Numri i lartë i personave te infektuar me Covid – 19 njofton për një valë të këtij virusi, por në një kohë kur masat vetjake dhe ato në shërbimet publike duhet të ishin më të rrepta, e pranishme është vetëm indiferenca.

Task-Forca anticovid njofton çdo ditë për monitorimin dhe inspektimin e qindra bizneseve duke e vënë theksin tek paralajmërimi dhe sensibilizimi, por përballë këtyre mjediseve të stërmbushura a mjafton vetëm kaq?!

Është e dukshme që pjesa më e madhe e bizneseve shfrytëzojnë orët e mbrëmjes për t’i bërë bisht zbatimit të protokollit të sigurisë.

Situata nuk duket aspak më e kontrolluar edhe në parqet e lagjeve.

Mjekët apelojnë çdo ditë për mbajtjen e masave mbrojtëse, por pavarësisht tyre numri i lartë i infektive flet qartë sesa vihen në zbatim.

Tv Klan