Një operacion policor ndërkombëtar ka shkatërruar një organizatë kriminale të kokainës të drejtuar nga shqiptarët. Ky aksion u drejtua nga autoritetet italiane të Firences dhe u zhvillua nën koordinimin e Europol dhe Eurojust.

20 persona janë arrestuar në total, nga të cilët 11 janë shqiptarë. Pesë prej tyre janë arrestuar në Shqipëri. Ata janë G. M., 35 vjeç, E. J., 27 vjeç, J. Ll., 31 vjeç, R. I., 33 vjeç dhe V. L., 40 vjeç.

Në Dubai është arrestuar Eldi Dizdari për llogari të autoriteteve italiane dhe do të ekstradohet në Itali. Policia e Shtetit thotë se “Eldi Dizdari alias Denis Matoshi 31 vjeç është një person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit”.

Në Rumani është arrestuar Lek  Colaj 40 vjeç, në Holandë u arrestua Gjergj Lesaj 38 vjeç, në Spanjë u arrestua Sokol Aliko (Memetaj) 36 vjeç dhe në Hungari u kap Robert Vaga 44 vjeç. Gjithashtu, në një burg të Norvegjisë iu komunikua masa e sigurisë “arrest në burg” shqiptarit tjetër Altin Velsula (Hoxha) 36 vjeç, i cili ishte i arrestuar.

Hetimi për këtë operacion ka nisur 5 vite më parë dhe konsiderohet si më i madh kundër një organizate të drejtuar nga shqiptarët. Gjatë aksionit, autoritetet policore kanë sekuestruar rreth 4 ton kokainë dhe më shumë se 5.5 milionë Euro cash.

Sipas Europol, kjo organizatë e shqiptarëve kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës, duke filluar që nga dërgesat e “pluhurit të bardhë” nga Amerika e Jugut e deri tek shpërndarja e lëndës narkotike në të gjithë Evropën. Kreu i organizatës është një 40-vjeçar shqiptar që qëndron në Ekuador. Ai negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut dhe më pas organizohej puna për dërgesat e mëdha të kokainës nëpër portet e Europës.

Më pas, hynin në lojë pjesa tjetër e anëtarëve të organizatës kriminale të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri të cilët kishin për detyrë shpërndarjen e kokainës në të gjithë Europën. Droga trafikohej përtej kufijve të shteteve evropiane me makina të modifikuara të pajisura me vende të posaçme për të fshehur kokainën.  

Ky operacion për goditjen e trafikut ndërkombëtar të kokainës nisi më datë 15 Gusht. Tvklan.al raportoi i pari dy ditë më parë për arrestimet e kryera gjatë aksionit ndërkombëtar, ku mori pjesë edhe Europol.

KUSH ËSHTË ELTI DIZDARI

Eldi Dizdari i njohur edhe me emrin Denis Matoshi, ishte shpallur në kërkim edhe për vrasjen e ndodhur në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë më 4 Tetor 2018, ku u përfshinë Ervin Mata, Ervis Martinaj dhe persona të tjerë. Nga përplasja me armë, mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Eljon Hato e Ervis Martinaj. Sipas hetuesve shqiptarë, konflikti para dy vitesh në ish-Bllok që përfundoi me një të vrarë dhe të plagosur, mendohet se nisi për shkak të Eldi Dizdarit për prishjen e pazareve të drogës. Që prej asaj kohe kur dhe u shpall në kërkim, ka dyshime se Eldi Dizdari jetonte në Dubai ku dhe u arrestua së fundmi.

INFORMACIONI I POLICISË SË SHTETIT

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim me homologët, i koordinuar nga Europol, Eurojust dhe Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor. Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, i shtrirë në disa shtete, si Itali,  Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta. Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së  Interforcës në Shqipëri.

Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht:

-Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”,  për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

-Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

-Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

-Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.

Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian në fjalë dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën. Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia. Edhe gjatë këtij operacioni mjaft të rëndësishëm, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm në përmbushjen e detyrave gjatë gjithë fazave të operacionit, çka tregon edhe njëherë vendosmërinë dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit për të luftuar bashkërisht me homologët, krimin e organizuar dhe terrorizmin.  /tvklan.al