Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka përgëzuar Policinë e Shtetit por dhe policitë e vendeve të tjera që morën pjesë në operacionin ndërkombëtar “Los Blancos”, ku u godit organizata e trafikut të kokainës e drejtuar nga shqiptarët.

Në rrjetet sociale, Lleshaj shkruan se ky operacion është një goditje e paprecedentë ndaj krimit të organizuar.

“Finalizimi i suksesshëm sot i Operacionit ‘LOS BLANCOS’ në 10 vende nën koordinimin e EUROPOL, në të cilin mori pjesë aktive edhe Policia e Shtetit, është një tjetër sukses i rëndësishëm, që provon edhe një herë pjekurinë dhe besueshmërinë e lartë të saj në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare. Shkatërrimi i një grupi shumë të sofistikuar kriminal të përbërë kryesisht nga shqipfolës dhe kapja e një sasie të madhe kokaine dhe parash është një goditje e paprecedentë ndaj krimit të organizuar. Meritojnë mirënjohje të gjitha agjencitë e vendeve që u angazhuan në këtë operacion si Italia Holanda Greqia Hungaria, Rumania, Gjermania, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Dubai dhe pa dyshim edhe Policia e Shtetit Shqiptar. Ky operacion dëshmon edhe një herë nevojën e madhe, por dhe dobinë e jashtëzakonshme që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën ndaj krimit të organizuar, i cili mund të luftohet me sukses real vetëm kur agjencitë e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë ngushtë në nivel operacional. Si sot”.

Në këtë operacion u arrestuan 20 persona, nga të cilët 11 janë shqiptarë. Aksioni u zhvillua në disa vendeve dhe hetimet kishin nisur në vitin 2015. Gjatë kësaj kohe janë sekuestruar 4 ton kokainë dhe mbi 5.5 milionë Euro para cash të kësaj organizate. /tvklan.al