Video e një djali 9-vjeçar nga Australia ku shfaqet duke qarë dhe duke përsëritur vazhdimisht se dëshironte të vdiste, pasi keqtrajtohet dhe përbuzet në shkollë, ka bërë xhiron në internet.

Ka qenë nëna e tij Yarraka Bayle,e cila ka publikuar fillimisht videon në Facebook, duke kërkuar që t’i jepet fund bullizmit sepse pasojat tek djali i saj janë aq të mëdha, sa ai ka humbur çdo dëshirë, madje edhe atë për të jetuar.

Quaden Bayles i lutej mamasë së tij, që t’i jepte një litar të vriste veten, pasi shokët e tallin në shkollë, për shkak se vuan nga nanizmi.

Reagimet ishin të menjëhershme dhe shumë njerëz ofruan mbështetjen e tyre dhe u sensibilizuan me rastin e vogëlushit, duke shkruar mesazhe me hashtag “Jemi me Quanden” dhe “Stop bullizmit” .

Komediani amerikan Brad Williams, përmes faqes “GoFundMe”, arriti të mblidhte mbi 150,000 dollarë, për t’i siguruar Bayles një udhëtim në Disneyland në Kaliforni me familjen e tij./tvklan.al