Mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e Iranit ndërsa u drejtuan për në funeralin e Qassem Soleimani i cili u ekzekutua një ditë më parë, me urdhër nga SHBA.

Të trishtuar dhe duke vajtuar, ata kanë përcjellë për në banesën e fundit njeriun e dytë më të fuqishëm të Iranit, ndërsa nuk kanë munguar mesazhet kërcënuese në drejtim të SHBA.

Një ditën pas sulmit amerikan, Irani ka premtuar hakmarrje në drejtim të Uashingtonit.

“Ne nuk mund të heshtim, duhet të veprojmë”.

Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif foli për “pasoja të pakontrollueshme” gjatë një bisede telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres.

Zarif përsëriti se sulmi ishte “akt terrorist ”, dhe se për shkak të popullaritetit të madh të Soleimanit midis popujve të rajonit, për shkak të angazhimit të tij kundër terrorizmit, “martirizimi i tij do të ketë pasoja që nuk mund të kontrollohen nga askush dhe përgjegjësia e të cilit do të bjerë mbi Shtetet e Bashkuara”.

Ndërkohë, gjatë natës, pati një sulm tjetër në Taji , në veri të Bagdadit. Sipas mediave irakiane, dy automjete u goditën, në të cilat po udhëtonin anëtarët e Forcave të Mobilizimit Popullor (Hashd al-Shaabi).

Në një deklaratë, forcat e mobilizmit popullor mohuan lajmet duke pretenduar se viktimat janë mjekë afër grupit dhe se asnjë eksponent i milicisë nuk u vra. /tvklan.al