Filmi “Loving” ofron një portret intim të Richard dhe Mildred Loving, një burrë i bardhë dhe një grua me ngjyrë, që nuk përfillën ligjet kundër marrëdhënieve ndër-racore në Virxhinian e viteve 1950, ranë në dashuri dhe u martuan. Ngjarjet e filmit, të frymëzuara nga jeta e një çifti real, shpalosen në një kohë ndryshimesh në Amerikë. Korrespondentja Penelope Poulou foli me kineastin dhe aktorët kryesorë mbi realizimin e ri filmik:

Richard dhe Mildred martohen në kryeqytetin e vendit, Uashington.

Por martesa e tyre është e paligjshme, pasi bie ndesh me Ligjin për Integritetin Racor në Virxhinia, ku ata banojnë.

Ata arrestohen, akuzohen dhe shpallen fajtorë.

Gjykatësi lexon vendimin:

“Richard Perry Loving, i racës së bardhë dhe Mildred Jeter, person me ngjyrë, kanë bashkëjetuar jashtë ligjit si çift i martuar”.

Çifti detyrohet të largohet nga Virxhinia, për t’i shpëtuar burgimit. Në 1958, ata vendosen në Uashington duke lënë pas miqtë e familjen. Pesë vjet më pas, në 1963, e frymëzuar nga Lëvizja për të Drejtat Civile, Mildred i shkruan Prokurorit të Përgjithshëm Robert Kennedy për t’i kërkuar ndihmë. Përfaqësues të Bashkimit Amerikan për të Drejta Civile e kontaktojnë Mildred.

“Kjo betejë mund të shkojë deri në Gjykatën e Lartë,”

i thotë avokati.

Kineasti Jeff Nichols ka përdorur xhirime të kohës dhe e ndërton filmin në një stil dokumentari.

Por fuqia e filmit shfaqet në shtjellimin e kujdesshëm të dashurisë mes dy individëve që luftojnë të nxitur nga dëshira e vetme për një jetë së bashku.

Në 1967, Gjykata e Lartë doli me një vendim në favor të çiftit. Çështja gjyqësore

Loving kundër Shtetit të Virxhinias

u bë një ndër çështjet që përdoreshin si pararendëse ligjore për të luftuar ligjet kundër marrëdhënieve ndër-racore edhe në shtete të tjera amerikane. Në Muzeun Afrikano-Amerikan, kineasti bisedoi me Zërin e Amerikës mbi parashikimet se filmi mund të jetë pretendent për çmim Oscar.

“Është një kompliment i madh. Por ajo që ka rëndësi është historia që po përpiqemi të tregojmë, historia e Richardid dhe Mildredit. E dëgjova për herë të parë këtë histori në 2012. Është e turpshme! Kjo është një pjesë e rëndësishme e historisë amerikane”.

Aktorja Ruth Negga investohet me shpirt tek personazhi Mildred. Për interpretimin e saj ajo ka marrë vlerësime pozitive nga kritika. Ajo thotë se u frymëzua në këtë rol nga guximi i jashtëzakonshëm i personazhit.

“Si e zbulojmë kush jemi vërtetë? Kjo tregohet zakonisht kur jemi në rrezik, kur rrethanat na detyrojmë të zbulojmë karakterin. Mendoj se në ato momente dalin ngjyrat e vërteta dhe ne dëshmojmë forcën e brendshme dhe integritetin”.

Aktori Joel Edgerton, i cili luan Richardin në film, thotë se kjo histori sjell një frymë humanizmi që shërben edhe në këtë klimë të polarizimit politik aktualisht në Amerikë:

“Vazhdimisht hasim probleme të ngjashme, probleme që do t’i hasim edhe në të ardhmen. Në këto momente histori që na ndihmojnë të tregojmë anën më humane, që të gjejmë veten tek tjetri, janë gjithmonë të vlefshme”

/Zëri i Amerikës