LSDM dhe BDI diskutojnë parimet e qeverisjes së re


LSDM dhe BDI diskutojnë parimet e qeverisjes së re

14:22 08/08/2020

Lidhja Social-demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë diskutuar të premten parimet mbi bazën e të cilave pretendojnë qeverisjen e ardhshme eventuale.

Grupet punuese të të dyja partive, që fituan në zgjedhjet e 15 korrikut (LSDM te maqedonasit dhe BDI te shqiptarët) thonë se angazhohen për paqe, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim brenda dhe jashtë vendit, për marrëdhënie të mira ndëretnike, zhvillimin ekonomik, shtetin e së drejtës dhe mirëqenie sociale.

“Biseduam për një shumicë parlamentare dhe një koalicion për një mandat të plotë, katërvjeçar, të qëndrueshëm. Konfirmojmë se nuk kemi asnjë alternativë tjetër për integrimin përveç anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për prosperitetin dhe stabilitetin afatgjatë të Maqedonisë (v.j. së Veriut). Ne jemi plotësisht dakord të respektojmë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ne jemi të përkushtuar për kohezionin shoqëror, një shoqëri të fortë dhe tolerante, shtetin e së drejtës dhe jemi dakord të kundërshtojmë të gjitha format e nacionalizmit dhe urrejtjes “, thuhet në deklaratën e përbashkët të të dyja partive politike.

Në deklaratë nuk përmendet fare posti i kryeministrit, të cilin e synojnë dy partitë, e as ndarja e posteve tjera.

BDI fushatën e ka udhëhequr me moton “për kryeministrin e parë shqiptar”, por këtë kërkesë e ka kundërshtuar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, duke theksuar se “kryeministri nuk fitohet me 15 deputetë” (aq sa ka fituar BDI), por edhe nga partia e Ali Ahmetit janë përgjigjur duke thënë se kryeministri nuk fitohen as me 46 deputetë (aq sa ka fituar LSDM).

Për formimin e qeverisë së re nevojiten 61 vota.

LSDM-ja ndërkohë ka biseduar edhe me koalicionin opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që kanë 12 mandate, por edhe me Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit që ka një ulëse në Kuvend.

Bisedime ndërkohë po zhvillon edhe VMRO-DPMNE-ja, e cila gjithashtu ka kërkuar sqarime nga LSDM-ja se mbi çfarë parimesh po zhvillohen bisedimet, duke aluduar në kërkesën e BDI-së për postin e kryeministrit.

VMRO-ja në Kuvend ka 44 ulëse apo dy më pak se LSDM-ja.

Në bazë të kushtetutës, Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski mandatin për formimin e qeverisë ia jep partisë me numrin më të madh të deputetëve.

Nëse ajo nuk arrin të formojë qeverinë brenda 20 ditëve atëherë mandati i kalon partisë së dytë./REL




Të ngjashme