Qeveria teknike, nesër zhvillohet takimi Zaev-Mickoski-Ahmeti

Kryesia e ngushtë partiake e socialdemokratëve në mbledhjen që ka filluar vonë pasdite pritet ta zyrtarizojë Ministrin e Brendshëm Oliver Spasovskin, për Kryeministër të Qeverisë Teknike që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet ta zgjedhë më 3 Janar. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Mila Carovska e cila sipas ligjit duhet të tërhiqet do të jetë Zv/Kryeministre për Çështje Ekonomike në Qeverinë Teknike. Këto propozime pritet të miratohen në organet më të larta partiake të LSDM-së.

Ndërkaq, kreu i BDI-së Ali Ahmeti rreth mundësisë së anulimit të datës së zgjedhjeve thotë se për këtë duhet një takim i ri tek presidenti i vendit.

Prej se dje u bë e qartë se shumica parlamentare dhe opozita kanë arritur marrëveshje për zhbllokimin e disa ligjeve në parlament, për nesër është paralajmëruar takimi mes liderëve Zaev-Mickoski-Ahmeti për të hapur rrugën e formimit të qeverisë teknike.  

“Takimi i nesërm është me kërkesë të z.Mickoski, për shkak se sipas Ligjit për qeverinë ai është i obliguar, si kryetar i partisë më të madhe opozitare të konsultojë dy partitë më të mëdha të shumicës. Do të flasim për emrin e Ministrit të ri të Brendshëm në Qeverinë Teknike, por edhe për kandidatët tjerë”, tha Zaev.

Ndërkaq, mbrëmë organet më të larta partiake të VMRO DPMNE-së e autorizuan kryetarin e partisë Mickoskin që t`i propozojë kandidatët e partisë për qeverinë teknike.

Tv Klan