Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës së rezultateve zgjedhore për Qarkun e Gjirokastër. LSI kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë e Dropullit. Duke qenë se kjo ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve për Gjirokastrën, kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve për të gjithë qarkun.

Kjo parti thotë se urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për karantinimin e detyrueshëm të personave që vijnë nga RMV dhe Greqia ka ndikuar në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit në këtë zonë të qarkut Gjirokastër. Sipas LSI, vendimi ka qenë politik dhe këtë e tregon fakti që është hequr më 3 Maj, disa ditë pas zgjedhjeve. Përveç se kjo është pengim i lirive dhe të drejtave të njeriut për të votuar, LSI, thotë se vendimi ka pasur vetëm një objektiv, të godasë këtë parti në zgjedhjet e 25 Prillit.

Rezultatin zgjedhor e ka ankimuar edhe një kandidat i koalicioni ABEOK, Tasim Mehmeti. Mehmeti e ka ankimuar rezultatin për Qarkun e Vlorës./tvklan.al