Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Ambasadori i SHBA në Tiranë Jefry së bashku me Ministrin e Rendit Luan Rama, kanë zbritur në Vlorë, për të inspektuar në pikën kufitare të Radhimës dhe në portin detar të Vlorës. Ndalesa e parë me helikopterë ka qenë në Radhim, ku larg kamerave dhe gazetarëve është biseduar në lidhje me luftën kundër trafikut nëpërmjet mjeteve motorike për transportin klandestinë në det.

Nga posta detare e Radhimës deri në det, Jefry dhe Rama kanë lundruar me skafe të distriktit detar. Ndërsa në portin e Vlorës ambasadori i SHBA ka dëgjuar raportimin e këshilltarit të ambasadës për rendin, i cili prej muajsh bashkëpunon pranë policisë në poetin e Vlorës. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të sigurojë mos ndërprerjen e energjisë elektrike në kapiteneri dhe në kalatat e portit, si minimumi i sigurisë për luftën antitrafik. Në fund të vizitës ambasadori Jefry u shpreh:

James Jefrey:- “Ministri më shpjegoi se kohët e fundit ka pasur sukses në luftën për bllokimin e mjeteve të trafikut në det. Po punojmë së bashku për të konkretizuar më tepër punën në këtë drejtim. Ndihma jonë konsiston në këshillim, mbështetje politike dhe asistencë”.

Ndërsa Ministri i Rendit Rama e vlerëson asistencën e qeverisë amerikane, si një mbështetje pozitive për të ngritur sistemin e monitorimit në portet kryesore të vendit.

Luan Rama:- “Në këtë kontekst ushtrojmë të gjithë autoritetin për të plotësuar në maksimum kushtet për realizimin e projekteve që janë ambicioze, në mënyrë të veçantë do të veçoja projektin që përfshinë strategjinë e tri porteve, aeroportin e Rinasit, portin e Durrësit dhe portin e Vlorës, me qëllim që të bëjmë të mundur bllokimin e çdo hapësire për trafiqe”.

Pas dështimit të bashkëpunimit me qeverinë gjermane, për funksionimin e qendrës antitrafik në Vlorë është kërkuar bashkëpunim dhe këshillim nga ambasada amerikane për vënien në funksion të kësj qendre./tvklan.al