Ish-deputeti i LSI Luan Rama, në një lidhje direkte për “Opinion” në Tv Klan, foli për atë çfarë u diskutua ditën e sotme në takimin e Presidentit të vendit Ilir Meta me krerët e partive të frontit opozitar.

Rama u shpreh se në vëmendje të këtij takimi ka qenë kriza politike në të cilën ndodhet vendi, ndërsa deklaroi se Presidenti ka ndikuar dhe është përpjekur që të ushtrojë presion pozitiv mbi opozitën për ta ndërtuar aksionin politik mbi bazën e një platforme që ka në themel kushtet e dhëna nga rezoluta e Bundestagut.

“Në vëmendje ishte kriza politike në të cilën ndodhet. Shteti praktikisht është i rënë sepse Kuvendi dhe Institucionet e tij janë ilegjitime, i vetmi institucion që është legjitim është Presidenca. Presidenti ka informuar palët për situatën në të cilën ndodhet vendi, me dokumentet, faktet dhe argumentet që ai ka. Ai ka ndikuar dhe është përpjekur të ushtrojë presion pozitiv mbi opozitën për ta ndërtuar aksionin politik mbi bazën e një platforme që ka në themel kushtet e dhëna nga rezoluta e Bundestagut”, u shpreh Rama”.

Ai foli edhe për hapat që opozita do të ndjekë në vijim.

“Hapat do të jenë përfshirja e opozitës në kontribute reale në procesin e reformës zgjedhore dhe krijimi i një baze ligjore, që pas reformës zgjedhore të mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Opozita duhet të mbrojë demokracinë e vendin me të gjitha mjetet demokratike, nga tryeza e dialogut deri tek protestat masive. Zgjedhjet e parakohshme janë një nga zgjidhjet e krizës“.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse opozita është gati për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, Rama tha se opozita është e gatshme të shkojë në zgjedhje “që të dielën më të parë të nëntorit”.  /Tvklan.al