Në një intervistë me moderatorin e njohur Ardit Gjebrea tek rubrika “Gjysma ime” në tv Klan, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij Aurela, kanë folur për vitet e tyre të studimit në Holandë. Ata u larguan në një moshë shumë të vogël, sapo përfunduan gjimnazin dhe ishin vetëm miq të ngushtë, ndjenjat për njëri-tjetrin u shfaqen nga viti i dytë i universitetit. Ata treguan se kur shkuan u përballën me një realitet komplet tjetër dhe u detyruan të mësoheshin me kulturën e atij vendi.

Aty kultivuan dhe disa pasione të tyre, Aurela pasionin e hipizmit, ndërsa Basha pasionin e Dj. Ai ka treguar se ka qenë shumë i pasionuar me muzikën dhe kur shkoi në Holandë u bë shok Dj i cili kishte një disko shumë të madhe pranë Fakultetit të Juridikut ku Basha studionte. Aty filloi të mësojë dhe të luajë si Dj ku dhe performonte gjatë mbrëmjeve në klub.

Ardit Gjebrea: Në kohën e lirë Aurela është marrë me hipizën dhe Luli Dj. Ç’në hipizmi Aurela?

Aurela Basha: Kam qenë në shoqatën e studentëve të hipizmit dhe e kam bërë me vite, më pëlqejnë shumë kuajt, kafshët. Hipizmi është një sport që veç anës sportive, të lejon që të kujdesesh, të merresh me kafshën, ta shëtisësh, ta pastrosh, harxhon shumë kohë në stallë dhe kjo më pëlqente shumë.

Ardit Gjebrea: Po Dj?

Lulzim Basha: Shiko Dj është fjalë e madhe, unë kam pasur një pasion të jashtëzakonshëm për muzikën, kam qenë i marrosur pas muzikës perëndimore Pop, ia vlen ta themi për të gjithë ata të rinj që nuk e dinë, që kjo ishte e ndaluar. Papritur ndodhem në një vend që ishte plot, me disko, me klube, ku muzika luhej lirisht, ku nuk kishte nevojë të merrje një kasetë të Scorpions apo të Micheal Jackson dhe ta dubloje në ato magnetofon me dy që ta shumëfishonim, ndërkohë që binte cilësia e muzikës, papritur muzika mu hap si mundësi. Unë kisha shumë qejf diskon, kisha dhe kam një shok Richard është gjysmë holandez dhe gjysmë australian dhe ai ishte Dj i vërtetë.

Afër kampusit të Fakultetit Juridik, kishte një disko të famshme dhe Richardi ishte mbreti i saj. Sigurisht që ne shkonim, kërcenim në orët e vona, të gjithë ato këngë të bukura që deri para disa vitesh ishin të ndaluara. Mendoj që ajo dashuria për muzikën që më kishte nisur nga “Hit Paresi” të radios italiane, u kthye në një kuriozitet të madh se si funksionon kjo gjëja, kështu që mësova përmes tij.

Ardit Gjebrea: Aurela ishte prezente?

Lulzim Basha: Në disa raste. Gjerat sot kanë ndryshuar shumë, pajisjet janë dixhitalizuar, aksesi është dixhitalizuar, atëherë ishte me pllaka, donte një farë mjeshtërie. Nuk dua të fyej Dj sot, sot është kthyer në një art më vete, është një zhanër më vete, ne thjesht zgjidhnim këngët dhe mua siç ta merr mendja, dora më shkonte tek hitet ’80-’90. /tvklan.al