Javën e kaluar në media u bënë publike pamjet e sherrit mes kandidatit për deputet të PD-së, Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca. Ky i fundit deklaroi se përveç se është sulmuar nga Boçi, kandidati i ka grabitur edhe celularin.

Por nga ana tjetër, Boçi ka mohuar çdo gjë dhe ka deklaruar se është sulmuar nga Luca. Ai tregoi këtë të hënë në emisionin “Opinion” të gjithë dinamikën se si ka ndodhur ngjarja sipas tij.

Sipas Boçit, Luca i është afruar dhe ka nisur agresionin ndaj tij. Fillimisht sipas kandidatit të PD-së ai e ka sulmuar me fjalë, ndërsa më pas është afruar dhe e ka goditur.

Më pas, Boçi thotë se ka reaguar për vetëmbrojtje. Po ashtu, sipas ish-deputetit Luçiano Boçi, Luca ka bërë përveç kërcënimeve me fjalë edhe kërcënime me gjeste.

Ai u shpreh se nuk mund ta pohojë nëse biznesmeni ishte i armatosur, por veprimet e tij ia lanë të kuptonte që ishte i tillë.

Blendi Fevziu: Zoti Boçi pse qëlloheni, pse grushtoheni se kjo është pjesa më e çuditshme?

Luçiano Boçi: Po ta shpjegoj se po kërkon të dalësh si tek videoja në mes të videos. Unë po e shpjegoj. Mos e shkurtojmë në fjalë edhe atë pjesë të videos që mungodn. Duke biseduar me personin, zoti Luca agreson dhe fillon e  shan në mënyrë shumë ofenduese dhe afrohet me duar në xhepa, mendova që do të vazhdojë dialogun, do t’i jap një përgjigje siç edhe i ka hije burrave të ndershëm në distancë. Në momentin që afrohet grushton dhe më godet. Tërhiqem pasi më ndihmon pak edhe gjatësia.

Blendi Fevziu: Ju po thoni që ka qenë Luca ju ka goditur i pari?

Luçiano Boçi: Më ka kapur në pjesën e qafës dhe e kam bërë denoncimin. Është ekspertiza e aktit mjeko-ligjor dhe më pas vjen reagimi im natyral, nuk mund të cënohet integriteti fizik moral, instinktet e vetëmbrojtjes janë të tilla që reagoj menjëherë dhe veprimet e tij kanë qenë kërcënuese jo vetëm në fjalë, por edhe në gjeste. Ai mund të ishte edhe i armatosur dhe këtë nuk e dija…

Blendi Fevziu: Ishte apo nuk ishte i armatosur?

Luçiano Boçi: Nuk mund ta pohoj, e di shumë mirë që kamera s’mund ta pohojë dhe mund të spekuloj të them që ishte. Bëri lëvizje sikur e kishte, biznesmen edhe mund të jetë i armatosur. Unë nuk jam as deputet dhe po të isha as nuk lejohet.

Blendi Fevziu: Ishit i pari që shkuat në prokurori?

Luçiano Boçi: Kam qenë i pari që kam shkuar në prokurori.

Blendi Fevziu: Po thoni që videoja ka pjesën e fundit të përplasjes?

Luçiano Boçi: Duket qartazi ajo se ka një shkak që jemi bashkë aty. Se nuk shkuam bashkë dhe u zumë me fjalë. Ta shpjegova qartë dinamikën e ngjarjes pasi nuk pashë një ëndërr në mes të ditës më doli para ky person dhe doja ta godisja. Kjo është absurde ta trajtosh në këtë lloj forme. Nuk po them që është akt i bukur, por reagimi im natyral kundër rrezikut fizik të jetës dhe të integritetit moral. /tvklan.al