Një video e publikuar në rrjetet sociale, nën dyshimin për krime lufte, ka shkaktuar debate dhe ka ngjallur sërish tension mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, të cilat prej disa ditësh janë në armëpushim.

Bëhet fjalë për një video ku duken dy armenë me uniforma ushtarake që janë kapur nga forca azere. Një video e dytë tregon të njëjtët burra armenë, të cilët janë me duar pas shpine dhe që ekzekutohen me armë.

Autoritetet e Armenisë i kanë identifikuar viktimat si Benik Hakobyan 73 vjeç dhe Yuri Adamyan 25 vjeç. Ndërsa Azerbajxhani e ka konsideruar këtë video si të rreme.

Ndërkohë, Këshilli i Europës ka marrë në dorëzim këtë video që dyshohet për krime lufte dhe do të hetojë të gjitha abuzimet e pretenduara.

BBC raporton se ka analizuar këto dy video që qarkullojnë në aplikacionin e mesazheve Telegram. Nga verifikimet rezulton se video e parë, ku shfaqen dy burrat armenë të zënë rob nga trupat azere, është e vërtetë. Ndërsa videoja e dytë, ku shfaqet ekzekutimi i tyre, ka detaje jo të plota. Azerbajxhani e ka konsideruar jo të vërtetë videon e dytë.

Lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit nisi më 27 Shtator në rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakh, që zyrtarisht është pjesë e territorit të Azerbajxhanit por ka popullsi armene. Luftimet u përshkallëzuan duke shkaktuar dhjetra të vrarë, ndërsa më 18 Tetor u njoftua një armëpushim. Por ka pasur sulme sporadike.  /tvklan.al