Opinion – Largimi i kosovarëve nga shtëpitë e tyre dhe marshimi drejt Shqipërisë ka qenë eksodi më i trishtueshëm i atyre viteve. Në emisionin II kushtuar Luftës së Kosovës në “Opinion”,  gazetari Blendi Fevziu dhe i ftuari i tij Auron Tare trajtojnë betejën humanitare për qytetarët kosovarë.

Tare, i cili ka qenë dëshmitar i eksodit të kosovarëve drejt Shqipërisë, tregon për masakrat e tmerrshme, ku burrat zbriteshin nga kamionët dhe pushkatoheshin në mënyrë masive.

“Në kampin e refugjatëve në Kukës po dëgjoheshin fjalë për një masakër të tmerrshme, ku burrat zbriteshin nga kamionët dhe pushkatoheshin. Por asgjë nuk ishte e konfirmuar. Ardhja e një kasete që ishte filmuar nga një student bëri që të vinin prokurorë të NATO-s për të mbledhur dëshmi për masakrat”,tha Tare.

Ndërkohë dëshmitarë të luftës tregonin se kur shihnin trupat serbe i fshihnin fëmijët e tyre pas mobiljeve që të mos i kapnin plumbat. Siç tregojnë ato, kur fëmijët qanin ato iu mbyllnin gojën që të mos dëgjoheshin, në mënyrë që të shmangnin masakrat si ajo e Drenicës.

“Të qëndroje në kufirin e Morinës ishte si të qëndroje në dyert e ferrit”,

thotë Tare gjatë emisionit teksa përshkruan kalimin e kosovarëve brenda kufijve të Shqipërisë.

“ ITN solli disa gazetare për temën e përdhunimeve sepse ishte temë delikate dhe ne si meshkuj nuk mund ta investigonim për shkak të kulturës së Kosovës. Investigimi i tyre është bërë në kampet e Kukësit ku janë pyetur shumë gra dhe vajza. Ka pasur shumë dëshmi edhe pse ishte shumë e vështirë për të treguar”,tha Tare.

Një tjetër kamp për kosovarët ishte ngritur edhe në Korçë. Sipas dëshmive, atyre iu ishte bërë një mashtrim mizor, iu ishte kërkuar të plotësonin formularë për të shkuar në Gjermani ose Holandë dhe gjatë natës transportoheshin me forcë në kufi me Shqipërinë.

Shumë njerëz humbën jetën ndërkohë që udhëtonin për të gjetur një strehë, shumë të tjerë vdiqën nga dhuna, i ftohti apo uria. Por eksodi i tyre, i transmetuar në të gjitha televizionet e botës, provokoi solidaritet të madh njerëzor. / tvklan.al