Agjencia Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA) është e interesuar për çdo informacion në lidhje me rritjen, prodhimin, shpërndarjen e drogave të paligjshme, krimin e organizuar dhe veprimtarinë e pastrimit të parave të lidhura me drogën në Shqipëri.

Për këtë arsye, ajo ka aktivizuar një linjë komunikimi në Tiranë ku inkurajon të gjithë ata që kanë informacione të tilla, ta ndajnë me DEA-n duke premtuar se gjithçka do të mbetet konfidenciale.

“DEA inkurajon këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e parave nga droga që të ndajë informacionin me punonjësit e DEA-së në WhatsApp në numrin: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha informacionet do të mbahen konfidenciale”, njoftoi ambasada e SHBA-ve në Shqipëri.

Ambasada falenderon ndërkohë të gjithë ata njerëz që kanë dërguar informacione të besueshme për të ndihmuar operacionet e DEA-s.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve dhe parandalimin e rrjedhës së drogave të paligjshme drejt Shteteve të Bashkuara”, njoftoi ambasada amerikane.

DEA ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në disa prej goditjeve të grupeve kriminale që merreshin me trafikun e drogës.

Rasti më i fundit është ai i trafikimit të 485 kilogramëve kokainë nga Kolumbia drejt Frakullit, në Fier. I gjithë itinerari dhe trafiku i kësaj ngarkese ishte mbajtur nën monitorim nga DEA amerikane dhe agjenci të tjera ligjzbatuese.

Njoftimi i sotëm konfirmon dhe prezencën e zyrës së DEA-s në Shqipëri./tvklan.al