Mjekët: Ka një rënie të lehtë ditët e fundit

E nisin ditën duke u pajisur me masa mbrojtëse, kjo tashmë tash e 6 muaj është shëndrruar në përditshmëri për mjekët dhe infermierët e Klinikës Infektive të Kosovës të cilët u vijnë në ndihmë pacientëve me Covid-19.

Ndërsa pushimi i verës nuk ka ekzistuar për ta. Shumica e pacientëve të shtrirë në këtë klinikë kanë frymëmarrje të vështirësuar, ndërsa u nevojitet oksigjeno-terapi.

Shtretërit këtu në Klinikën infektive vazhdimisht janë të zënë. Në rast se një pacient lirohet atëherë ai shtrat menjëherë zëvendësohet me një pacient të konfirmuar me COVID apo i ardhur nga spitalet e tjera ku ishte duke u trajtuar.

Infektologu Murat Mehmeti thotë se javën e fundit ka rënie të lehtë të numrit të personave të hospitalizuar të cilët janë të konfirmuar me koronavirus.

Në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale janë duke u trajtuar 533 pacientë, 409 prej tyre të konfirmuar pozitiv  me COVID-19.

Me oksigjenoterapi janë 348 pacientë ndërsa 47 të tjerë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Tv Klan