Mes Presidentit Trump dhe Twitter-it ka nisur një “luftë”. Gjigandi i rrjeteve sociale ka fshehur një prej postimeve më të fundit të presidentit amerikan duke argumentuar se thyen rregullat për gjuhën që përdoret në lidhje me dhunën.  

Në fakt Twitter-i nuk e ka fshirë postin, por ka vendosur një paralajmërim dhe mund të shikohet vetëm pasi klikon në të.

“Twitter ka përcaktuar se është në interesin e publikut nëse ky Tweet mund të jetë i aksesueshëm”, thuhej në paralajmërim.

Në fakt kjo është vazhdim i disa përplasjeve mes Twitter-it dhe Shtëpisë së Bardhë.

Trump ishte duke shkruar për protestat që po ndodhin në Minneapolis për shkak të vrasjes së një qytetari me ngjyrë.

Presidenti tha se do të dërgojë Gardën Kombëtare dhe postimin e ndoqi me një paralajmërim që thoshte: Kur nisin grabitjet, fillojnë të shtënat.

Politikën e paralajmërimeve Twitter-i e ka përdorur që në mesin e 2019-s, megjithatë asnjëherë kundër Trump.

Masa e Twitter bëhet disa orë pasi presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkon të heqë imunitetin ligjor ndaj rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook për përmbajtjen që ato shpërndajnë.

Trump ka akuzuar rregullisht platformat e mediave sociale për shtypjen ose censurimin e zërave konservatorë./tvklan.al