Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin thotë se Europa do të ishte në telashe dhe do të gjendej në vështirësi nëse nuk do të kishte ndihmën e SHBA, sa i përket luftës së Rusisë në Ukrainë.

Gjatë një vizite të saj në Australi, theksoi se mbrojtja e Europës duhet të forcohet.

“Duhet të jem e sinqertë me ju, Europa nuk është mjaftueshëm e fortë në këto momente. Do të ishim në telashe nëse nuk do të ishte SHBA”, u shpreh Kryeministrja Sanna Marin.

SHBA është furnizuesi më i madh me pajisje ushtarake në Ukrainë.

“SHBA ka dërguar shumë armë, ndihma monetare dhe humanitare në Ukrainë, ndërsa Europa nuk është ende e fortë aq sa duhet”, deklaroi Kryeministrja finlandeze.

Sanna Marin bëri thirrje që Europa të forcojë mbrojtjen ushtarake. Finlanda, vend i cili ndan një vijë të gjatë kufitare me Rusinë, ka aplikuar zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO. Një pjesë e shteteve anëtare kanë dhënë aprovimin, përfshirë edhe Shqipërinë që e ka ratifikuar në Parlament.  /tvklan.al