Diskutohet dakordësia mes presidentit Zelensky dhe kryeministrit Rama
Në një kohë që flamuri suedez ngrihej në qiellin me shi të Brukselit sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi faktin se po vijojnë diskutimet mes aleatëve për rritje të prodhimit të municioneve për Ukrainën.
“Mbështetja jonë për Ukrainën po shpëton jetë ndaj duhet që të vijojë me ndihma të reja ushtarake. Dorëzimi nuk është opsion për paqen. Britania e Madhe e Franca po japin rraketa me rreze të gjatë veprimi ndërsa po bëhemi gati që të dërgojnë avione F-16 për tu përdorur nga pilotët ukrainas. Putin pretendoi se do të pengonte zgjerimin e NATO-s, por dështoi. Ukraina është më afër NATO-s se kurrë më parë.”
Në këtë drejtim do të luajë një rol të rëndësishëm edhe rivitalizimi i industrisë së armëve në Shqipëri.
Për mundësinë që Shqipëria dhe Ukraina të mund të prodhojnë armë së bashku u bisedua edhe ne takimin e kryeministrit Rama me Presidentin ukrainas Volodomir Zelensky në Tiranë.
Edhe në fjalën e hapjes së samitit të liderëve të rajonit tonë për Ukrainën, Presidenti Volodymyr Zelensky ftoi liderët e Ballkanit Perëndimor për të bashkëprodhuar municione të cilat do i duhen Ukrainës për të ndalur dhe zbrapsur agresionin rus.
Zelensky propozoi organizimin e një forumi të posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor qoftë në Kiev apo në një shtet të këtij rajoni.
Ekspertë vendas besojnë se prodhimi i armatimit në Shqipëri do të fillojë brenda 6 muajve të parë ndërsa dërgesat e para të municionit të kalibrave të vegjël në fushat e luftës mund të nisin pas tre muajsh.
Klan News