Në këtë hotel në Riad të Arabisë Saudite po zhvillohen me dyer të mbyllura prej mëngjesit të kësaj të hëne, negociatat e radhës mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për paqen në Ukrainë.

Askush nuk di të thotë se ku përqendrohen bisedimet, por besohet se ndalimi i luftimeve nga ajri dhe në Detin e Zi janë temat kryesore, siç u diskutua edhe në telefonatën mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Pjesë e bisedimeve është edhe eksporti i sigurt i grurit nga Deti i Zi, një kërkesë sipas Kremlinit e presidentit amerikan Donald Trump.

Duhej të diskutohej edhe për sulmet në sektorin e energjisë, për të cilat Putin ra dakord të ndalen që pas telefonatës së 18 marsit me Trump. Kievi pretendon se armëpushimi 30-ditor i marrë përsipër nga Putin nuk është zbatuar.

Të dielën, përfaqësuesit amerikanë zhvilluan bisedime me palën ukrainase. Ministri ukrainas i Mbrojtjes i quajti bisedimet pozitive, ndonëse nuk dha detaje. Delegacioni i Kievit vazhdon të jetë në Riad.

Ndërkaq, rusët i vazhduan sulmet e ashpra edhe këtë të hënë, ku goditën dy spitale në Sumi, duke plagosur 28 persona. Sulmi ishte pjesë e breshërisë së dronëve të dërguar në disa qytete ukrainase.

Tv Klan