Dy javët e ardhshme më të lehta për të kuqtë

Dy javët e ardhëshme të Superligës mund të rezultojnë vendimtare në garën për titullin kampion. Vllaznia kryesuese ka dy përballje të forta, ndërsa Partizani do të luajë kundër ekipeve të fundit në renditje.

Që në mesin e kësaj jave vjen një sfidë e rëndësishme për Vllazninë. Shkodranët, me ndërgjegjen e prekur nga humbja me Tiranën në shtëpi, udhëtojnë në Durrës.

Ekipi i Brdaric luan kundër Teutës në një takim ku nuk i lejohet gabimi, pasi rrezikon të barazohet me pikë me Partizanin.

Skuadra e Ilir Dajës viziton Apoloninë. Fierakët janë të parafundit në renditje me një barazim pas 4 humbjeve radhazi në 5 ndeshjet e fundit.

Të kuqtë janë favoritë në letër dhe kjo e shton motivimin e tyre. Më pas në fundjavë Vllaznia vazhdon rrugëtimin në malore përballë Kukësit, që ngulmon për zonën europiane.

Ndërsa Partizani do të presë Skënderbeun e vendit të fundit. Për të kuqtë është momenti të kërkojnë maksimumin nga dy takimet e radhës pasi më pas do të vijnë përballjet e rëndësishme. Derbi me Tiranën dhe dy ndeshjet direkte kundër Vllaznisë dhe Teutës.

Sezoni ka ardhur në një moment ku grupi i skuadrave pretendente nuk mund të pranojë humbjen e asnjë pike. Pritet të jetë një luftë totale deri në fund.

Tv Klan