Trump u kërkon kompanive amerikane të investojnë

Gara e fortë e përhapjes së rrjetit 5G, në të cilën Kina është një hap para Perëndimit, ka shqetësuar Presidentin amerikan Donald Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë është treguar konkret me thirrjen e tij ndaj kompanive amerikane për t’a zhvilluar sa më shpejt këtë teknologji.

Përmes një postimi në Twitter, Trump i ka drejtuar gishtin gjigandit Hi-Tech amerikan Apple.

“Gjatë vizitës time në Austin të Teksasit i kërkova Tim Cook të shohë nëse mund t’a përfshijë Applen në ndërtimin e 5G-së në SHBA. Ata i kanë të gjitha, paratë, teknologjinë, vizionin dhe Tim Cook”.

Kompania Apple nuk i është përgjigjur thirrjes së Trump. Rrjeti 5G është gjenerata më e fundit e teknologjisë së internetit me valë që pritet të jetë 100 herë më i shpejtë se 4G-ja.

Kjo teknologji mundëson zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së automjeteve pa shofer dhe të ashtuquajturave qytete smart.

Por teksa kompanitë amerikane ende janë fazat e zhvillimit të kësaj teknologjie, Kina e aplikon në mbi 50 qytete, madje ka lidhur kontrata edhe me disa vende perëndimore.

Washingtoni druhet se nga përdorimi i 5G-së kineze nga aleatët do të bëjë që ata të bien pre e spiunazhit nga Kina.

Tv Klan