Në një akuzë shumë të rëndë që, nëse konfirmohet, mund të përshkallëzojë tensionet ndërkombëtare, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se në luftën në Ukrainë po përfshihet edhe Kina.

“Ne kapëm ushtarë kinezë në territorin ukrainas. Ukrainasit hynë në betejë në rajonin e Donetsk, në Tarasivka dhe Belohorivka, me gjashtë ushtarë kinezë, dy u kapën. Ne kemi dokumente, kemi pasaportat e tyre, ka edhe karta krediti. Këta janë shtetas të Kinës. Mendoj se ky është një element shumë i rëndësishëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje asaj që po ndodh sot, Kina është një vend tjetër që mbështet ushtarakisht pushtimin rus të Ukrainës”, u shpreh Volodymyr Zelensky.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin belg Bart de Wever, Zelensky theksoi se përfshirja e dukshme e Kinës në luftë në emër të Rusisë, krahas vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani, përbën një fakt të ri gjeopolitik, i cili duhet t’i shtyjë aleatët e Ukrainës të rishqyrtojnë qëndrimin dhe mbështetjen e tyre.

“Koreja e Veriut luftoi në zonën e Kurskut kundër nesh, dhe kinezët luftuan në territorin ukrainas. Mendoj se ky është një moment i rëndësishëm që duhet ta diskutojmë me partnerët tanë dhe besoj urgjentisht. E di që jemi një vend i fortë, por nuk mund të luftojmë kaq shumë vende në të njëjtën kohë”, shtoi presidenti ukrainas.

Presidenti ukrainas shprehu shpresën se ky zhvillim do të çojë në përfshirje më aktive të Shteteve të Bashkuara në bisedimet me Kievin, ndërsa kërkoi një përgjigje zyrtare nga Pekini.

Kam udhëzuar ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes që të kontaktojnë homologët e tyre kinezë, duke kërkuar një shpjegim zyrtar për këto veprime”, deklaroi kreu i shtetit ukrainas.

Klan News