Një luftanije amerikane e Luftës II Botërore është gjetur në Oqeanin Paqësor 72 vite pasi është fundosur nga marina japoneze.

Luftanija USS Indianapolis u gjet në një thellësi prej 5.5 kilometrash.

Ajo u shkatërrua dhe u fundos nga japonezët në vitin 1945 teksa kthehej nga misioni i saj sekret për të transportuar pjesë të bombës bërthamore që u përdorën më vonë në Hiroshima duke vrarë qindra mijëra persona.

 

Vetëm 316 anëtarë të ekuipazhit arritën të mbijetojnë nga 1196 që kishte luftanija në total.

Kjo ishte tragjedia më e madhe njerëzore në historinë e marinës amerikane.

USS Indianapolis u shkatërrua me 30 korrik 1945 diku në detin e Filipineve mes Guamit dhe Leytes.

Rreth 800-900 persona u larguan nga luftanija në mbytje por duke qenë se nuk u lëshua asnjë alarm dhe thirrje për ndihmë, shumica e tyre u mbytën. Vetëm 316 anëtarë të ekuipazhit u arrit të shpëtoheshin rastësisht katër ditë më vonë në ujërat që njihen për një prezencë të madhe të peshkaqenëve.

Anija u fundos në 12 minuta dhe fakti që nuk u arrit të lëshohej alarm bëri që vendndodhja e anijes të mbetej mister për dekada të tëra./tvklan.al