Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në programin “Zona e Debatit” në Klan Kosovës, sëbashku me Presidentin Hashim Thaçi. Për gazetarin Baton Haxhiu, Kryeministri tha se shqiptarët, Shqipëria dhe Kosova – janë bashkë për të promovuar paqen, por edhe për të mbrojtur integritetin territorial.

“Nëse serbët duan të hipin nëpër trena që i çojnë ata prapa në histori, por nuk i prekin asnjë fije floku Kosovës, ne nuk kemi ç’u bëjmë. Por nëse duan të cënojnë një centimetër të territorit tonë, jemi të gatshëm të përgjigjemi”.

Rama tha se Kosovës nuk guxon t’i cënohet asnjë pjesë e territorit dhe se provokimet e Serbisë janë shpërfaqje e një ideologjie të prapambetur.

“Praktikisht çështja e territorit të Kosovës është mbyllur ditën kur është firmosur Pavarësia e saj. Të dy vendet tona janë vendosmërisht krah për krah për të promovuar paqen. Janë krah për krah edhe për të mbrojtur integritetin. Nuk ka shans që Kosova të cënohet qoftë edhe në një centimetër katror të territorit të saj. Ai mur nuk është se sfidon realisht sovranitetin e Kosovës. Është shfaqje brutale e një ideologjie shumë të prapambetur. Jam i bindur që pavarësisht si do të dalë në fund kjo histori, nuk është e tillë ku pala tjetër duket mirë. Ne jemi në anën e duhur të historisë dhe e duhura është ana e urës, jo e murit”.

Sipas kryeministrit shqiptar, muri dhe provokimet e Serbisë janë për keqardhje dhe shqiptarët nuk duhet të bien pre e tyre, por të vazhdojnë rrugën për të ndërtuar paqen.

“Besoj që shfaqja e këtij muri absurd, apo e atij treni absurd janë shfaqje të një makthi që nuk është i yni – është i fqinjve tanë. Janë shfaqje që shkaktojnë keqardhje. Janë fqinjët tanë që janë për të ardhur keq që shfaqen në forma të tilla dhe deri në nivelet me të larta kapen për të ndërtuar një politikë që nuk i duhet dreqit, lëre më popullit serb. Ne duhet të vazhdojmë t’i besojmë rrugës sonë. Këto shfaqje nuk tregojnë se paqja që kërkojmë është e gabuar, por se nuk është e lehtë. Nuk cënojnë dinjitetin e shqiptarëve, as integritetin e Kosovës, as imazhin pozitiv që shqiptarët kanë ndërtuar që nga momenti i parë i ndërtimit të shtetit në Kosovë. Ndaj unë besoj që ka një konsum të tepruar të këtyre ngjarjeve deri në histeri, për të nxitur imagjinatën e një konflikti të mundshëm, që nuk është i yni. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën nuk do të clirohet nga ky makth”.

Më tej, Rama tha se megjithë dallimet, shqiptarët dhe serbët duhet të dialogojnë për të ndërtuar paqen, pasi nuk ka rrugë tjetër. Ai shpreh gjithashtu se pikërisht Kosova është pika e ndarjes mes tij dhe homologut serb, Aleksandar Vuçiç.

“Kosova është pika e ndarjes me pikë mes meje dhe kryeministrit serb dhe mes nesh dhe Serbisë. Ose do të qëndrojmë me kurriz me Serbinë dhe të ndahemi në gjithçka. Ose do të qëndrojmë ballë për ballë dhe të gjejmë rrugë për të bashkëpunuar. Një pjesë e padukshme e kësaj historie janë shkëmbimet në nivelin tregtar, në nivelin ekonomik, turistik, që krijojnë kushtet për të rritur një volum komunikimi në nivelin e njerëzve që sjell të mira për të gjithë. Shqiptarët e Kosovës kanë dallim shumë të madh nga serbët. Shqiptarët nuk kanë luftuar asnjëherë për t’u marrë serbët diçka që s’u takonte. Por dolën në luftë për të marrë atë që u ishte marrë padrejtësisht dhe u takonte: atdheun e tyre. Ne as nuk kemi nevojtë të biem pre e provokimeve, apo të ndjehemi të dobët kur shohim se fqinjët tanë kthehen hera-herës në të shkuarën. Shqiptarët kanë fituar luftën. Tani sfida është të fitojmë paqen”.

Duke u ndalur tek komenti i Vuçiç për vizitën e Kryeministrit në zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha theksoi se Vuçiç nuk duhet të vizitojë ekstremistët në Serbi ashtu sikurse nuk duhet të shqetësohet kë viziton ai në Kosovë.

“Vuçiç të ketë kujdes të mos vizitojë ekstremistët, se pastaj u kujtohet njerëzve se ka qenë me ata. Ndërkohë unë vizitoj miqtë e mi. Ai i quan ekstremistë, ne i quajmë çlirimtarë.”

E duke u ndaluar tek kreu i AAK, Ramush Haradinaj, ai th ase urdhër arrestet e Serbisë për “çlirimtarët e Kosovës” vënë në dyshim synimin europian të Beogradit zyrtar, duke theksuar se do të kërkojë pandalur që ato të hiqen një herë e përgjithmonë. 

/tvklan.al