City gati të paguajë 185 milionë euro për sulmuesin, por Tottenham s’ka ndërmend ta shesë

Harry Kane ka bërë që të gjithë mediat sportive në Angli të flasin për të. Sulmuesi anglez këtë Verë duhet që të vendosë për të ardhmen, ndërsa është në dilemë sa i përket qëndrimit te Totenhemit.

Kapiteni i Anglisë te “Spears” ndihet mirë, por ai nuk ka arritur të fitojë asnjë trofe të rëndësishëm dhe kjo për të përbën një problem të madh.

Tabloidi anglez “The Sun” raportoi se Manchester City është gati që të bëjë çmendurira për ta pasur 27- vjeçarin. Madje i ka ofruar 185 milionë euro klubit të Totenhemit për kartonin e tij.

Jo vetëm kaq, por Kane do të përfitojë 470 mijë euro në javë në katër vitet e ardhshme, duke u kthyer në lojtarin më të paguar te “Qytetarët”.

Por mediat në Britani raportojnë se “Spears” pavarësisht ofertës së lartë nuk do ta shesin yllin e ekipit.

Qëndrimi i presidentit të klubit është i qartë: ai e konsideron sulmuesin anglez si pjesë të rëndësishme të skuadrës.

Kane ka edhe tri vite të tjera kontratë me klubin londinez.

Klan News